Publikuar më: 28/04/2023
VENDIM Nr. 109, datë 1.3.2023 PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM ARGJINATURE MBROJTËSE NGA LUMI SHKUMBIN NË KRASTË, NË KUADËR TË PROJEKTIT ‘LUNGO FIUME’, ELBASAN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim argjinature mbrojtëse nga lumi Shkumbin, në Krastë, në kuadër të projektit ‘Lungo Fiume’, Elbasan”.
- Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “pyll”, me një vlerë të përgjithshme prej 161 829 (njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e njëzet e nëntë) lekësh.
- Masa e shpërblimit për pronarët që shpronësohen, prej 161 829 (njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e njëzet e nëntë) lekësh, përballohet nga Bashkia Elbasan.
- Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Elbasan.
- Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
- Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.
- Bashkia Elbasan kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
- Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Elbasan, sipas këtij vendimi.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Elbasan pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Belinda Balluku