Publikuar më: 11/10/2021
VENDIM Nr. 580, datë 6.10.2021 PËR SHPRONËSIMIN PËR INTERES PUBLIK, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT PËR ZHVILLIMIN E ZONËS SË RE, NË PËRPUTHJE ME PLANIN E DETYRUAR VENDOR, PËRMES KOMPENSIMIT ME SHKËMBIM, PËR TË GJITHA PASURITË QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE NR. 6, ZONA ‘KOMBINAT’, BASHKIA TIRANË”
VENDIM
Nr. 580, datë 6.10.2021
PËR SHPRONËSIMIN PËR INTERES PUBLIK, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT PËR ZHVILLIMIN E ZONËS SË RE, NË PËRPUTHJE ME PLANIN E DETYRUAR VENDOR, PËRMES KOMPENSIMIT ME SHKËMBIM, PËR TË GJITHA PASURITË QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE NR. 6, ZONA ‘KOMBINAT’, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, pika 1, të neneve 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të nenit 32, të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr. 97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Shpronësimin për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit për zhvillimin, në përputhje me planin e detyruar vendor, përmes kompensimit me shkëmbim, për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi projektit “Për zonën e re për zhvillim, në njësinë administrative nr. 6, zona ‘Kombinat’, Bashkia Tiranë”, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
- Shpronësimi përmes kompensimit me shkëmbim bëhet në favor të Bashkisë Tiranë, për qëllim të rindërtimit.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme shpronësohen përmes kompensimit me shkëmbim, sipas të dhënave që paraqiten në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”.
- Shkëmbimi i pasurive private të llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”, me një pasuri tjetër të paluajtshme të ardhshme në pronësi të shtetit do të bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, si dhe marrëveshjeve/kontratave individuale që do të lidhen, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe subjekteve të prekura nga ky shpronësim.
- Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa), është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
- Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme do të jetë në përfundim të realizimit të projektit “Për zonën e re për zhvillim në njësinë administrative nr. 6, zona ‘Kombinat’, Bashkia Tiranë”.
- Bashkia Tiranë i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit përmes kompensimit me shkëmbim ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën truall, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, në regjistrat e pasurive të paluajtshme të bëhet regjistrimi i barrës ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat, për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kur pronari privat ka pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë e kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regjistrimin e pasurisë së ardhshme në regjistrin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesë të Bashkisë Tiranë dhe të përfaqësuesit të pronarit shtet bëhet regjistrimi i kalimit të të drejtave të pronësisë për pronën shtet, në favor të pronarit privat, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
- Bashkia Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin, t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e pasurive, pronë private, të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi, si edhe referuar aktmarrëveshjeve të lidhura nëse ka.
- Gjatë periudhës së zbatimit të projektit (përfundimin e punimeve) qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr. 97/2019, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara.
- Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Arben Ahmetaj