Publikuar më: 31/10/2023

VENDIM Nr. 589, datë 18.10.2023 PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE TË QYTETIT GJIROKASTËR”

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

VENDOSI:

 

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike të qytetit Gjirokastër”.
  2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Gjirokastër.
  3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 18 924 850 (tetëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e njëzet e katër mijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekësh.
  4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 18 924 850 (tetëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e njëzet e katër mijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Gjirokastër.
  5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Gjirokastër.
  6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
  7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Gjirokastër.
  8. Bashkia Gjirokastër kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
  9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Gjirokastër.
  10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Gjirokastër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Gjirokastër për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
  11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Gjirokastër për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
  12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Gjirokastër, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Gjirokastër, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

 

ZËVENDËSKRYEMINISTËR

Belinda Balluku

 

 

LISTA EMËRORE E PRONARIT, PASURIA E PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE E TË CILIT SHPRONËSOHET PËR INTERES PUBLIK NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE TË QYTETIT GJIROKASTËR”

 

Nr. Pronari Të dhënat kadastrale (sipas kartelës së pasurisë) Vlerësimi për shpronësim
Truall Vlera totale në (lek) Shënime
Emri Atësia Mbiemri Fshati ose qyteti Zona kadastrale Numri i pasurisë Lloji i pasurisë Sipërfaqja totale Volumi Faqe Sipërfaqja (m2) Çmimi (lek/m2) Vlera (lek)
1 Javer Osman Zani Gjirokastër 8543 25/37 Truall 18722 4 15 3890 4865 18,924,850 18,924,850 Konfirmuar nga ASHK-ja. Mbi këtë pasuri ka një ndërtim të paligjshëm
Vlera totale 18,924,850