Publikuar më: 31/01/2022
VENDIM Nr. 863, datë 29.12.2021
PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROBLEMATIKAT E SHKAKTUARA NGA RRËSHQITJET NË SEGMENTIN RRUGOR “MILOT–MORINË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga problematikat e shkaktuara nga rrëshqitjet në segmentin rrugor “Milot–Morinë”.
- Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 93 991 538 (nëntëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e një mijë e pesëqind e tridhjetë e tetë) lekësh.
- Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 93 991 538 (nëntëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e një mijë e pesëqind e tridhjetë e tetë) lekësh, përballohet nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
- Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
- Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
- Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që pasqyrohen në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi kanë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
- Autoriteti Rrugor Shqiptar kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
- Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Mirditë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, fillon procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe bën kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Mirditë, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Mirditë, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR
Edi Rama